DnV publikon rezultatet preliminare të zgjedhjeve

DnV publikon rezultatet preliminare të zgjedhjeve

Zgjedhjet 2026 June 07, 2026 - 20:59

Demokracia në Veprim ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, bazuar në 75% të mostrës së procesit të vëzhguar.

Sipas këtyre të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje del e para me 42.7% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.5% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.7%.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 42.7% (±1.7%)

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 21.5% (±1.6%)

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 17.7% (±1.1%)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 7.1% (±1.1%)

Lista Serbe – 6.4% (±2.0%)

SPO – 0.8% (±0.2%)

DnV thekson se në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht dhe ato nga diaspora, ndërsa pragu zgjedhor prej 5% aplikohet për subjektet që nuk garojnë për vendet e rezervuara.

Sipas organizatës, dalja e përgjithshme në votime është 37%, që paraqet rënie krahasuar me zgjedhjet e kaluara parlamentare, përfshirë 45% në dhjetor 2025 dhe 48.78% në zgjedhjet e vitit 2021.

DnV raporton se një nga sfidat kryesore të ditës ka qenë vështirësia e votuesve për të gjetur qendrën e saktë të votimit, pavarësisht njoftimeve paraprake të KQZ-së.

Ndërkohë, është vërejtur edhe rënie e rasteve të votimit me asistencë, të cilën organizata e lidh me zbatimin më të rreptë të rregullave.

DnV ka bërë të ditur se pas përfundimit të numërimit të votave për subjektet politike, materialet zgjedhore do të transportohen në Qendrat Komunale të Numërimit, nën shoqërimin e Policia e Kosovës.

Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave për kandidatët pritet të vazhdojë në ditët në vijim.

Organizata u ka bërë thirrje subjekteve politike që të përmbahen nga shpalljet apo festimet e parakohshme, duke theksuar nevojën për respektim të plotë të procesit deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.