Analistët politik: Debati për presidentin po lë në hije reformat
Debati politik në vend po dominohet nga çështja e zgjedhjes së presidentit, ndërsa po mungon diskutimi për programet qeverisëse dhe reformat, vlerësojnë njohës të çështjeve politike.
Sipas tyre, partitë politike duhet të fokusohen në arritjen e kompromisit për politikat qeverisëse, e jo vetëm në ndarjen e pozitave institucionale.
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi tha se rezultatet e tri proceseve zgjedhore kanë treguar se qytetarët presin kompromis më të gjerë politik dhe shoqëror, por sipas tij partitë nuk kanë diskutuar për politika konkrete qeverisëse.
“E para, është e vërtetë që këto tri palë zgjedhje qytetari i ka tregu secilës parti se ku qëndron me fuqinë politike, ka tregu që kërkon kompromis, për secilin institucion duhet një kompromis më i gjerë shoqëror, politik, partiak, për të arritur te qëllimi final, po atë ndërtimi i një mirëqenie më të mirë për qytetarët e të cilat po vërehet që partitë politike nuk e kanë objektiv këtë çështje. Pra, nëse e shohim prej shkurtit të vitit të kaluar, dhjetorit, dhe tash po e kalojmë edhe gjysmën e qershorit dhe të paktën unë s’kam pa që partitë janë ulur, kanë folur për çështje të politikave sektoriale. Pra, nëse dëshirojmë kompromis, cilat politika do t’i, për shembull, do t’i, do të bëjmë reforma? Në arsim, shëndetësi, në ekonomi? Kuptohet, unë po flas në mënyrë gjenerale, po në arsim cilat pika, në ekonomi cilat fusha do t’i atakojmë apo cilat, në këtë rast, opozita dëshiron t’i debatojë me partinë fituese, që të cilat janë, do të jetë pika programore e qeverisjes”, tha Arifi.
Sipas tij, debati politik është përqendruar pothuajse tërësisht te çështja e presidentit, ndërsa ka munguar diskutimi për përmbajtjen programore.
“Nuk kemi pa përmbajtje, çfarë kemi pa prej shkurtit e deri në qershor të vitit 2026, kemi pa që partitë diskutojnë vetëm për një pozitë. Çështja e presidentit, që është absurde, sepse të gjithë e dimë që presidenti nuk ka fuqi ekzekutive, është më shumë pozitë kushtetuese, unifikuese, pra do duhej të ishte, por jo me pushtet të madh ekzekutiv. Pra, logjika është që partitë nuk po dëshirojnë të qeverisin, por në një farë mënyre vetëm të sundojnë. Pra, kjo është sundim çka po ndodh në Kosovë, pra që nga shkurti i vitit 2025, ne e kemi një sundim të palegjitimuar, kisha thënë. Është fjalë e vrazhdë, por ky është realiteti. Për fat të keq, opozitë reale, konkrete nuk kemi, prandaj edhe pushteti po sillet në formën e tillë se në mënyrën edhe me shtetin, edhe me qytetarët. Tash kemi ardhur prapë në të njëjtën pikë ku pushteti e ka fokusu krejt debatin veç te një pikë, te presidenti, që për mua është qasje e gabueshme edhe e partisë në pushtet, po qasje edhe më e gabueshme e partive opozitare, se ato duhet ta kenë transparencën si pikë të fuqisë së demokracisë. Pra, ne shkojmë të bisedojmë për këto pika, jo për pozita njëherë. Njëherë për politikat qeverisëse, mandej vijnë pozitat. Pra, kjo do të ishte përmbajtja nëse opozita dëshiron të shkon në ofensivë, nëse dëshiron, pra është dëshirore. Për fat të keq, kemi ardhë në këtë gjendje”, tha ai, për EO.
Arifi vlerësoi se mungesa e institucioneve të plota dhe legjitime po ndikon edhe në proceset integruese të vendit.
“Normalisht që partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po dëshirojnë që ne të kemi më shpejt shtet më funksional, sepse për momentin shteti nuk është funksional në kuptimin e plotë të fjalës. Pra, shteti ekziston, por nuk është funksional, nuk ka institucione legjitime që mund të marrin vendime, vendime shumë serioze, pra edhe në politikën e jashtme ose në politikën e brendshme e kështu me radhë. Pra, prandaj mosekzistenca e funksioneve legjitime e largon Kosovën edhe nga anëtarësimi në NATO, edhe në BE, po edhe në çdo zhvillim të mëtejmë të shoqërisë dhe kështu jemi në pikën ku shoqëria ka me bë pyetjen: çka tutje? Pra, çka tutje? Pra, edhe nëse e zgjedhim presidentin në formën arbitrare, çka tutje? Pra, nuk ka përmbajtje. Për fat të keq, jemi duke shkuar në një rrugë e cila ka me prodhu prapë zgjedhje, nëse shkohet me të njëjtin mentalitet”, tha ai.
Ndërkaq, analistja politike Afërdita Maliqi tha se edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor, sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit.
“Nga rezultati zgjedhor Vetëvendosja sërish është e para dhe sërish me këtë rezultat mund ta bëjë qeverinë e vetme. Mirëpo, ne nuk kemi shkuar në zgjedhje për qeveri, ne në këto zgjedhje kemi shkuar për shkak se s’kishte një vullnet politik dhe s’kishte një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Sërish problematika ka me qenë te zgjedhja e presidentit të vendit. Unë dëgjova një prononcim të kryeministrit në detyrë, i cili tha se partitë politike që kanë qenë në opozitë duhet ta ndërrojnë qasjen rreth zgjedhjes së presidentit të vendit”, tha Maliqi.
Ajo vlerësoi se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kësaj çështjeje mund të mbetet e njëjtë si në legjislaturën e kaluar.
“Domethënë, ti e sheh se ai, Lëvizja Vetëvendosje, do ta ketë të njëjtën logjikë dhe të njëjtën, ndoshta, rrugë çfarë e ka pasur pas zgjedhjeve të kaluara kur nuk u zgjodh presidenti i vendit. Domethënë, i thërriste partitë politike në takime, po nuk është që ato takime patën prodhuar zgjidhje, sepse partitë e tjera politike nuk e shihnin as serioze atë që ju ofronte, me të drejtë. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ose kryeministri në detyrë thoshte që partitë politike nuk janë të gatshme me bashkëpunuar ose me votuar atë çfarë u ofronte Kurti dhe erdhëm në situatën ku erdhëm”, tha ajo.
Maliqi shtoi se partitë opozitare nuk kanë dhënë sinjale për ndryshim të qëndrimeve të tyre lidhur me zgjedhjen e presidentit.
“Pra, po e shoh një skenar sërish të njëjtë nga Lëvizja Vetëvendosje rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit, sepse nëse ti i thua duhet me ndërruar qasjen, atëherë ti po i thua që duhet me iu nënshtruar asaj çfarë unë propozoj, pra me iu imponuar asaj çfarë propozon Kurti, se unë mendoj se partitë tjera qasjen e kanë pasur rreth çështjes së presidentit, kanë treguar çfarë ato janë në gjendje me votuar rreth çështjes së presidentit dhe nuk besoj që kanë ndërruar. E kuptoj Lidhjen Demokratike, e cila është në një situatë tjetër tash për shkak se ka pasur kandidat për president dhe nuk ka votat e mjaftueshme as m’ia bërë nënshkrimet atij kandidati, por PDK-ja edhe AAK-ja janë në të njëjtat pozicione”, tha ajo.