Pas Kalludrës dhe Jabukës, hetime po zhvillohen për një lokacion të tretë për varrezë masive
Foto: Laura Hasani

Pas Kalludrës dhe Jabukës, hetime po zhvillohen për një lokacion të tretë për varrezë masive

Aktuale August 04, 2026 - 15:30

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e dyshuar të krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit, deri tani janë arrestuar tre persona, të dyshuar për veprën penale "Krime lufte kundër popullsisë civile".

Gjatë veprimeve hetimore janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim. Ndërkohë, gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël janë ende duke vazhduar.

Prokuroria njofton se hetimet aktualisht po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë, transmeton Zeri.info.

"Prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore", thuhet në njoftim.

Për shkak të fazës së ndjeshme të procedurës, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se nuk mund të japë më shumë detaje në këtë fazë, duke shtuar se informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar zhvillimin e hetimeve. /Zëri