Kurti: Ura e tretë mbi Ibër pritet të përfundojë deri në fund të vitit

Kurti: Ura e tretë mbi Ibër pritet të përfundojë deri në fund të vitit

Aktuale August 04, 2026 - 16:50

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se punimet për ndërtimin e urës së tretë mbi lumin Ibër në Mitrovicë po zhvillohen sipas planit dhe, nëse ruhet ritmi aktual, projekti do të përfundojë deri në fund të këtij viti, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se ura do të ketë katër korsi, trotuare në të dy anët dhe do të shoqërohet me ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse.

“Ura është projektuar me gjatësi 65 metra dhe me gjerësi 22.5 metra. Gjerësia është kaq e madhe, 22.5 metra, meqëse do të jetë me katër korsi, secila prej tyre 3.5 metra, dhe njëkohësisht në të dy anët do të ketë edhe trotuare. Projekti përfshin edhe ndërtimin e dy rrethrrotullimeve, si dhe një segmenti rrugor me gjatësi 500 metra, me katër korsi nga 3.5 metra secila dhe trotuare me gjerësi prej 2.2 metra. Në kuadër të projektit është paraparë edhe rehabilitimi i shtratit të lumit Ibër në një gjatësi prej 525 metrave dhe gjerësi prej 47 metra”, tha ai.

Sipas tij, përveç lidhjes infrastrukturore, projekti synon edhe mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e sigurisë.

“Qëllimi është mbrojtja e mjedisit, rritja e sigurisë dhe mbrojtja e infrastrukturës përreth. Rëndësi e posaçme i është kushtuar ndriçimit adekuat dhe modern. Janë paraparë shtylla ndriçuese përgjatë urës, trotuareve dhe hapësirave përreth lumit. Sa i përket ecurisë së punimeve, po zhvillohen sipas planit dinamik dhe nëse vazhdon ky ritëm që po e shohim, atëherë do të mund ta inaugurojmë përmbylljen e punimeve sivjet, pra nga fundi i 2026-s”, tha ai.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se kjo është ura e tretë që ndërtohet gjatë qeverisjes së Albin Kurtit dhe se ajo do të përmirësojë qasjen në të dy anët e lumit Ibër.

“Dhe kjo është ura e tretë që po bëhet me qeverisjen Kurti, që tregon që ne jemi të gatshëm t’ju ofrojmë pra organeve të sigurisë dhe të rendit qasje sa më të shpejtë dhe më të lehtë në të dy anët e Ibrit. Përveç kësaj, ofron edhe shërbime për qytetarët, për bizneset dhe sigurisht që kjo do ta rritë edhe vlerën e kësaj hapësire ku do të ketë edhe ndërtime, por edhe biznese që do të zhvillohen”, tha ai.