Prishtina prin me rastet e fruthit në Kosovë, konfirmohen 99 të infektuar
Foto: Laura Hasani

Prishtina prin me rastet e fruthit në Kosovë, konfirmohen 99 të infektuar

Aktuale August 04, 2026 - 16:56

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth në nivel vendi, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja.

Sipas të dhënave zyrtare, Prishtina është komuna me numrin më të madh të rasteve, me 33 të infektuar, e ndjekur nga Fushë-Kosova me 25 raste, Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste.

Ndërkohë, nga3 raste janë raportuar në Drenas, Lipjan dhe Obiliq, nga 2 raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime dhe Vushtrri, ndërsa nga 1 rast në Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

IKShPK thekson se këtë vit është shënuar rritje e rasteve të fruthit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin regjistruar 65 raste.

Instituti u bën thirrje qytetarëve që, në rast të simptomave si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore. Po ashtu, prindërit dhe kujdestarët ftohen të sigurohen që fëmijët të jenë të vaksinuar sipas kalendarit të rregullt të imunizimit, pasi vaksinimi mbetet mbrojtja më efektive kundër fruthit.