QKUK-ja realizon me sukses ndërhyrje të avancuar për frakturë komplekse të pelvikut
Në Klinikën e Ortopedisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale e avancuar për fiksimin perkutan të një frakture komplekse të pelvikut, të tipit Tile C, te një pacient 50-vjeçar.
Ndërhyrja është kryer përmes një teknike minimalisht invazive, e cila mundëson stabilizimin e strukturave të dëmtuara të pelvikut përmes prerjeve shumë të vogla. Kjo qasje synon të reduktojë dëmtimin e indeve të buta dhe humbjen e gjakut gjatë operacionit, ndërsa mund të kontribuojë në më pak dhimbje pas ndërhyrjes, rikuperim më të shpejtë, mobilizim më të hershëm dhe qëndrim më të shkurtër në spital, transmeton Zeri.info.
Procedura është realizuar nga ekipi operator i Klinikës së Ortopedisë, i përbërë nga dr. Bujar Shabani, dr. Nderim Salihaj dhe dr. Dafina Bytyqi, në bashkëpunim me ekipin e Anestezionit, dr. Arben Ahmeti dhe dr. Pranvera Bajrami.
Në ekipin mbështetës morën pjesë edhe instrumentarja Donjeta Hamiti dhe teknikja e anestezionit Mirlinda Bytyqi.
Sipas QKUK-së, realizimi i kësaj ndërhyrjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e trajtimit kirurgjikal të traumave dhe frakturave komplekse të pelvikut, duke zgjeruar mundësitë për aplikimin e teknikave moderne dhe minimalisht invazive në trajtimin e pacientëve.
Kjo procedurë paraqet një mundësi të re për pacientët që në të ardhmen do të kenë nevojë për trajtim të avancuar të frakturave komplekse të pelvikut. /Zëri