Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë një i kërkuar me letërreshtim ndërkombëtar për vjedhje të rëndë
Një shtetas i Kosovës, i identifikuar me inicialet K.B., është ekstraduar të martën nga Zvicra në Kosovë, pasi kërkohej me letërreshtim ndërkombëtar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Sipas Policisë së Kosovës, ekstradimi u realizua më 4 gusht nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe autoritetet zvicerane.
“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia bëri të ditur se ekstradimi u realizua në bazë të legjislacionit në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Zvicrës.
Në njoftim theksohet se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, arrestimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit. /Zëri