Të shtëna armësh në një aheng familjar në Ferizaj, konfiskohet një pistoletë
Policia e Kosovës ka raportuar për të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt.
Rasti është raportuar mbrëmë rreth orës 21:00, në Stacionin Policor në Ferizaj.
Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar të dyshuarin, A.N., 33-vjeç, dhe kanë konfiskuar një pistoletë me gaz, së bashku me dy fishekë.
Për rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”, transmeton Zeri.info.
Pas intervistimit nga policia, i dyshuari është liruar dhe rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë apel qytetarëve që të përmbahen nga përdorimi dhe gjuajtja me armë zjarri gjatë festave dhe ahengjeve familjare.
“Të shtënat në ajër janë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë pasoja të rënda për jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhet në apelin e Policisë.
Policia ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo personi që përdor armën në mënyrë të kundërligjshme. /Zëri