Policia parandalon garat ilegale të shpejtësisë në Prizren, gjobiten me nga 400 euro dy persona
Policia e Kosovës përmes njoftimit ka bërë të ditur, se ka parandaluar një rast të zhvillimit të garave ilegale në Prizren, derisa dy shoferë u gjobitën me nga 400 euro.
“Tejkalimi i shpejtësisë dhe garat ilegale janë ndër veprimet që më së shumti rrezikojnë sigurinë në rrugë. Në kuadër të angazhimeve në terren për parandalimin e aksidenteve, garave ilegale dhe kundërvajtjeve tjera në trafik, Njësitet Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së trafikut rrugor, më datë 06.09.2026, rreth orës 03:47 minuta, në rrugën Ukshin Hoti në Prizren, kanë hasur dy automjete duke zhvilluar gara shpejtësie”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia po ashtu ka bërë të ditur se kundërvajtësve iu shqiptuan edhe katër pikë negative dhe 10 muaj ndalim i drejtimit të automjetit.
“Të dy kundërvajtësit janë ndaluar menjëherë dhe ndaj tyre janë ndërmarrë masat ligjore për kundërvajtjet e shkaktuara, konkretisht kundërvajtësve iu është shqiptuar gjobë prej 400 euro, katër pikë negative dhe 10 muaj ndalim drejtimi të automjetit”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin sjelljet e rrezikshme dhe të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në rrugë. /Zëri