Aktakuzë ndaj një personi për sulmin ndaj KFOR-it në vitin 2023 në Zveçan
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, lidhur me dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, më 29 maj 2023.
Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin përreth objektit të Komunës së Zveçanit. I pandehuri A.S., në koordinim me persona të tjerë të dyshuar, të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, dyshohet se kishte marrë pjesë në grupin që kreu veprat penale.
Prokuroria pretendon se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë, përmes dhunës kishte sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.
Si pasojë e sulmeve, sipas aktakuzës, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.
Gjatë dhunës së asaj dite janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e plotë të sulmit të 29 majit 2023, ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. /Zëri