A po përfshihet LeBron James në një skandal?
LeBron James mund të përfshihet në një polemikë të re jashtë parketit.
Gazetari investigativ Pablo Torre ka nisur të shqyrtojë udhëtimet e shpeshta me helikopter të yllit amerikan mes Nju Jorkut dhe Filadelfias, pasi James iu bashkua Philadelphia 76ers.
Sipas raportimeve të Front Office Sports, 41-vjeçari ka kryer 12 udhëtime vajtje-ardhje mes dy qyteteve brenda një jave.
Sipas TMZ-së, kostoja e këtyre fluturimeve vlerësohet nga 6.000 deri në 9.000 dollarë.
Megjithatë, përfaqësuesi i James ka sqaruar se fluturimet sponsorizohen nga kompania Fanatics, në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar gati tre vjet më parë.
Kjo marrëveshje i mundëson basketbollistit të përdorë avionë privatë dhe helikopterë të kompanisë.
Pse po shqyrtohet rasti i LeBronit?
Çështja qëndron te mundësia nëse Philadelphia 76ers, klubi që i paguan Jamesit pak më pak se tetë milionë dollarë për dy vjet, ka ndonjë përfshirje financiare në këto udhëtime.
Nëse shpenzimet mbulohen vetëm nga Fanatics, nuk duket të ketë problem.
Por, nëse rezulton se klubi është i përfshirë financiarisht në një marrëveshje që mund t’i japë lojtarit përfitime shtesë, atëherë çështja mund të marrë një tjetër drejtim.
Torre ka konfirmuar se ka marrë informacione edhe nga pronarë të skuadrave të NBA-së, të cilët kanë kërkuar sqarime rreth kësaj situate.
“Po marrim informacione nga pronarë që ma dërgojnë këtë histori dhe më pyesin: ‘Çfarë është kjo?’”, ka deklaruar Torre, duke bërë të ditur se po shqyrton mundësinë që rasti të ketë rëndësi për ligën.
Gazetari që zbuloi çështjen e Kawhi Leonardit
Pablo Torre u bë një emër i njohur pas raportimeve për marrëveshjen mes Los Angeles Clippers dhe Kawhi Leonardit, që ngriti dyshime për anashkalimin e rregullave të kufirit të pagave në NBA.
Pas hetimit, liga ndëshkoi Clippers me një gjobë prej 30 milionë dollarësh dhe ua hoqi pesë zgjedhjet e raundit të parë në draftet e viteve 2029–2033.
Pronari Steve Ballmer u pezullua për një vit, ndërsa presidenti i klubit, Lawrence Frank, për gjashtë muaj.
Leonardit iu kërkua gjithashtu të kthente 700 mijë dollarë, ndërsa ish-këshilltari i tij, Dennis Robertson, u ndalua për pesë vjet nga kontaktet me skuadrat e NBA-së dhe kryerja e aktiviteteve të caktuara në emër të lojtarëve apo personelit të ligës.
Për momentin, nuk është vërtetuar se LeBron James ka shkelur ndonjë rregull të NBA-së.
Çështja mbetet në fazën e shqyrtimit dhe pyetja kryesore është nëse udhëtimet e tij me helikopter lidhen vetëm me marrëveshjen private të sponsorizimit apo nëse ekziston ndonjë përfshirje tjetër financiare. /Zëri