Ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë një i dënuar për vrasje, ishte në kërkim ndërkombëtar

Ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë një i dënuar për vrasje, ishte në kërkim ndërkombëtar

Kronika August 11, 2026 - 15:15

Një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar sot në pikën kufitare në Vërmicë ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Shqipëria në Kosovë.

I dyshuari, i cili ndodhej në arrati, ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Sipas Policisë, personi ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje”, për të cilën është dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim.

Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, i dënuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, për procedim të mëtejshëm ligjor dhe dërgim në qendrën korrektuese për vuajtjen e dënimit.

Policia e Kosovës ka vlerësuar se ekstradimi u mundësua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personave të kërkuar për vepra penale. /Zëri